Ida Mëngjesi, motra e profesorit dhe avokatit Sokol Mëngjesi, ka konfirmuar lajmet se vëllai i saj është zgjuar nga koma. Ajo falenderon shqiptarët, për të cilët thotë se të njohur e të panjohur u bënë bashkë në këto ditë të vështira dhe e mbuluan atë me dashuri njerëzore.
Në këto ditë të vështira për vetë profesorin e Fakultetit të Drejtësisë dhe familjen e tij, të shumtë kanë qenë ata që janë lutur për shëndetin e Sokol Mëngjesit.
“Ne emrin e vellait tim te shtrenjte. Ne emer te prinderve te mi heronj. Ne emer te Anxheles se dashur dhe engjejve tane te bekuar, dhe me gjithe qenien time do doja t’ju falenderoja nga zemra cdo njerin prej jush, te njohur e te panjour qe e mbuluat Sokolin me nje mburoje te papershkruar dashurie njerezore, derisa syte e tij te zgjuar u zgjuan nga kjo enderr e keqe”,shkruan motra e avokatit.
Studentë, miq, të afërm dhe cilido që e kishte takuar të paktën një herë, kishte parë te Sokol Mëngjesi thjeshtësinë, mirësinë dhe urtësinë e një njeriu të edukuar, një profesori dhe një profesionisti të mirë.
“Zoti ka menyrat e tij per te na provuar egzistencen e gjithefuqishme, nepermjet mrekullive qe ben here pas here me njerezit dhe ai do e ngreje Sokolin ne kembe! Ne keto dite te kobshme qe kane zgjatur si muaj kemi mesuar se asgje nuk vlen sa fuqia e mbinatyrshme e dashurise njerezore qe u derdh mbi te dhe mbi ne ne nje menyre te papershkruar me fjale”,vijon Ida Mëngjesi.
Sokol Mëngjesi ndodhej në koma artificiale, që nga 29 Maji, ku u sulmua brutalisht sapo la djalin në kopsht në zonën e ish-Bllokut. Më 3 qershor famijarët kërkuan që ta çonin në Greqi, pasi shpresonin se mjekimi atje do të ishte me shpresëdhënës për jetën e Sokolit, dhe fatmirësisht ashtu rezultoi.
Në fund të shënimit të saj, motra e Sokol Mëngjesit, Ida përsërit falenderimin për të gjithë ata që për një moment kanë qenë pranë vëllait të saj me lutje e mendimin për ta kaluar sa më parë këtë gjendje.
“Drita e qirinjve te ndezur ne te kater anet e botes, drita e cdo lutjeje te peshperitur nga buzet e drdhura dhe drita e miresise qofte me ju cdo cast dhe mbreterofte e mira ne jeten dhe ne shpirtin tuaj! E mira nuk humbet” përmbyllet mesazhi i Ida Mëngjesit.
Discussion about this post