Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka takuar strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në kuadër të takimeve që ka nisur në të gjitha drejtoritë e vendit për t’u njohur me punën e tyre dhe për të prezantuar objektivat e tij.
Gjatë takimit me strukturat drejtuese të Durrësit, Balla u ndal tek problematikat e komunikimit me qytetarët. Ai kërkoi që kryesisht punonjësit e Qarkullimit Rrugor të kenë etikë dhe ndëshkimi të mos jetë qëllim në punën e tyre.
“Policia Rrugore nuk është gjahtare shkelësish. Nëse një drejtues automjeti nuk ka të vendosur rripin apo përdor telefonin e lëvizshëm gjatë drejtimit, përpara se t’i kërkoni dokumentet, është detyrim të përshëndeteni me qytetarin, pyteni çfarë halli ka që e shtyjnë të shkelë rregullat e qarkullimit rrugor, duke rrezikuar veten e të tjerët.
Pra ajo që për ne ka rëndësi është siguria rrugore, është edukimi apo ndërgjegjësimi. Nuk është gjoba, qëllimi. Asnjë rast nuk është njësoj me tjetrin. Nuk më interesojnë “sukseset” e gjobave, por bindja e përgjithshme e qytetarëve se duhen zbatuar rregullat, jo pse është një punonjës i policisë rrugore pas kthesës, por sepse kështu mbrojmë jetë njerëzore”, tha Balla.
Te drejtat e fotografise: Ministria e Brendshme/ © Credits facebook.com/punetebrendshme.gov.al

Durrësi është qyteti me flukset më të larta të pushuesve vendas e të huaj, e për këtë Policia e Shtetit në koordinim me strukturat e tjera shtetërore kanë përgjegjësi kyçe për sigurinë në vijën bregdetare.
Lufta kundër kultivimit të narkotikëve mbetet një tjetër prioritet, theksoi ministri Balla.
Discussion about this post