Ndryshe nga sa krijohet perceptimi brenda vendit, në sytë e ndërkombëtarëve dhe atyre që merren me sondazhet, Shqipëria paraqitet mirë në nivelin e demokracisë në vend, në vitin 2022.
“The Economist” publikoi indeksin për këtë kategori, dhe Shqipëria që renditet tashmë në grupin e dytë, tek “demokraci me probleme” duket se ka dalë nga gjendja e letargjisë që e kishte kapur në grupin e tretë për një kohë të gjatë.
Ka katër lloje të regjimit: Demokraci e plotë; demokraci me probleme; regjim hibrid dhe e fundit regjim autoritar.
Deri në vitin 2020, Shqipëria ishte në grupin e tretë, tek “regjimi hibrid”. Por në vitin 2021, vendi hyri për herë të parë tek grupi i dytë, “demokraci me probleme.
Por edhe në këtë grup, nga viti 2021 në vitin 2022 Shqipëria ka përmirësime duke u renditur në vendin e 64, nga vendi i 68-të që kishte qenë një vit më parë. Më mirë në rajon mbetet Mali i Zi që renditet në vendin e 61. Ndërsa Serbia ka shënuar përkeqësime, duke zbritur në vendin e 68 (-5) ndërsa Maqedonia e Veriut është përmirësuar me një pikë duke u ngritur në vedin e 71-të.
Këto të dhëna bazohen te liritë e të drejtat e individit dhe organizimi i zgjedhjeve.
Në vitin 2022, Shqipëria rezultatin më të lartë e ka te treguesi i lirive civile me 7.35 pikë. Treguesi i dytë me pikëzim të lartë është procesi zgjedhor dhe pluralizmi me 7 pikë që ndiqet nga funksionimi i qeverisë me 6.43 pikë e kultura politike 6.25 pikë. Treguesi më i dobët është ai i pjesmarrjes politike me vetëm 5 pikë.
Discussion about this post