Federata Polake e Futbollit ka shkarkuar trajnerin Fernando Santos pas humbjes me Shqipërinë në “Air Albania”.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë federata polake përmes një njoftimi në rrjete sociale, ku thuhet se duke nisur nga 13 shtatori 2023, Fernando Santos ka lënë detyrën si trajner i kombëtares polake.
Ndërkohë mediet polake e kanë lidhur shkarkimin e Santos me fitoren historike të Shqipërisë përballë Polonisë mbrëmjen magjike të së dieles së kaluar.
Kombëtarja Shqiptare zhvilloi një ndeshje historike përballë Polonisë, në kuadër të eliminatoreve të kampionatit evropian “Euro 2024”. Kuqezinjtë arritën të mposhtin polakët me një performancë të jashtëzakonshme dhe me gola që do të mbahen mend gjatë.
Ishte fantazisti Jasir Asani ai që “çoi peshë” zemrat e shqiptarëve në stadium dhe kudo që po shijonin këtë ndeshje, me një super gol nga distanca në minutën e 37 që bëri jehonë ndërkombëtare. Në pjesën e dytë, Shqipëria e nisi me eufori ndeshjen me raste të krijuara, të cilat u shpërblyen në minutën e 62 me insistimin dhe fuqinë e Mirlind Dakut, i cili tundi rrjetën e portjerit polak vetëm disa sekonda pasi hyri në fushë.
Shqipëria vazhdon tani me kokën lart rrugën për në Berlin, e para në grupin E në kuotën e dhjetë pikëve, me tre finale që na presin ku më e rëndësishmja do të jetë ajo e 12 tetorit në “Air Albania” përballë Republikës Çeke.
Discussion about this post