Një ndër urdhrat ekzekutiv të firmosur nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka qenë pezullimi i fluturimeve të refugjatëve afganë.
Si rrjedhojë me këtë vendim Trump ka lënë afganët “të ngecur” në vendet ku dhe gjetën strehim pasi arritën të shpëtonin nga talebanët në 2021, përfshirë dhe në Shqipëri.
Në vendin tonë, në Shëngjin, prej tre vitesh ndodhen rreth 700 afganë të cilët janë në pritje për të udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por, me këtë urdhër të presidentit Trump ata do të duhet të presin për një kohë të pacaktuar.
Pas tërheqjes së trupave amerikane nga Afganistani në gusht të vitit 2021, Shqipëria ka shërbyer si strehë për mijëra qytetarë afganë të cilët u detyruan që t’i shpëtonin regjimit të ri taleban. Vendi ynë hapi dyert dhe i mirëpriti në Shëngjin.
Ashtu si dhe ishte përpiluar në program, emigrantët afganë më pas do të udhëtonin drejt SHBA-së ku dhe do të merrnin azil. Por, një pezullim i papritur nga administrata Trump ka ndikuar seriozisht në këtë proces. Mediat ndërkombëtare theksojnë se ky urdhër i firmosur nga Trump ka tradhtuar besimin e afganëve si dhe të organizatave të së drejtave të njeriut.
Programi i zhvendosjes së refugjatëve në SHBA u shkatërrua kryesisht nën administratën e parë Trump për shkak të ristrukturimit, shkurtimeve buxhetore dhe ndikimit të pandemisë.
Administrata Biden filloi ta rindërtonte atë dhe ishte ende duke punuar për të derisa Trump mori detyrën. Pak më shumë se 100,000 refugjatë të zhvendosur në SHBA në vitin 2024 përfaqësonin një moment historik: shumica e refugjatëve të zhvendosur në Shtetet e Bashkuara në tre dekada dhe një ndryshim dramatik nga 11,454 refugjatët e pranuar në vend vetëm tre vjet më parë.
Por, tani pezullimi i programit lë në rrezik dhjetëra mijëra refugjatë afganë, shumë prej të cilëve tashmë janë verifikuar nga SHBA, thonë grupet e avokimit.
Ndryshimi nuk prek programin e vizave speciale për emigracionin, një rrugë e veçantë imigrimi për afganët që kanë punuar për qeverinë ose ushtrinë amerikane, duke përfshirë dhjetëra mijëra që kanë shërbyer si përkthyes për ushtrinë amerikane që nga viti 2001.
Afganët që kanë shërbyer në ushtrinë afgane ose që kanë bërë fushatë për të drejtat e njeriut, por nuk kanë punuar drejtpërdrejt për ushtrinë ose ambasadën amerikane, nuk kanë të drejtë për viza speciale imigruese dhe duhet të aplikojnë përmes programit të refugjatëve.
Discussion about this post