Teksa jemi 5 ditë larg zgjedhjeve vendore, kreu i KQZ Ilirjan Celibashi ka bërë me dije se PSD, Partia Demokratike, Partia e Lirisë nuk kanë sjellë anëtarët e komisioneve për disa qendra votimi.
“PSD nuk kanë dërguar komisioner për 415 qendra votimi. PD nuk ka sjellë anëtarët e komisioneve për 422 qendra votimi, PL nuk i ka sjellë në 75 qendra votimi”, tha Celibashi.
Celibashi sqaroi se në rast se nuk sjellin emrat, KQZ do të emërojë komisionerë nga afro 600 aplikime që janë bërë.
Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi ka bërë me dije se është kërkuar verifikim të thelluar për 10 kandidatë për kryetar bashkie dhe 28 anëtarë të këshillit bashkiak.
“Për procesin e dekriminalizimit kemi vendosur për të kërkuar verifikim të thelluar prej prokurorisë. Janë 10 kandidatë për kryetar bashkie. Janë 28 kandidatë për anëtar të këshillit bashkiak të cilët janë dërguar për hetim të thelluar. Sipas detyrimit që KQZ i ka bërë publik formularët e vetëdeklarimit për të gjithë kandidatët por edhe emrat e atyre që janë dërguar për hetim të thelluar”, tha Celibashi.
Teksa shpjegonte punën përgatitore për zgjedhjet e së dielës, Celibashi ritheksoi se do të mund të votojnë në zgjedhje edhe ata që i ka skaduar ID pasi vlefshmëria është zgjatur deri më 31 maj. Kryekomisioneri tha se këtë vit është bërë punë e mirë me trajnimin e operatorëve që do të jenë në të gjithë vendin. Sa i përket procesit të numërimit të votave, Celibashi tha se është bërë gjithë instalimi i pajisjeve të cilat mundësojnë dhe garantojnë përcjelljen e informacionit.
Edhe fletët e votimit janë marrë sot në dorëzim nga KQZ dhe pritet që të kryhet shpërndarja e tyre.
Discussion about this post