Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, ka mbërritur paraditen e kësaj të premte pranë ambienteve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ku dhe do të njihet me “fatin” e mandatit të tij.
Beleri i cili prej më shumë se një viti ndodhet në qeli, kërkoi ditën e djeshme që të ishte prezent në seancën ku dhe do të shqyrtohet vlefshmëria e mandatit të tij në krye të Bashkisë së Himarës.
Ishte avokatja e eurodeputetit ajo e cila kërkoi që klienti i tij të dëgjohet në seancë pasi ashtu si dhe ajo tha nuk ka të drejtën e përfaqësimit të plotë të tij.
“Subjekti nuk është njoftuar për fillimin e procedurave. Fredi Beleri kërkon të dëgjohet në këtë proces duke qenë subjekt i interesuar”, tha avokatja
Kjo mbledhje e KQZ ka ardhur disa ditë pasi Apeli i GJKKO-së “vulosi” fatin e Belerit. Tre gjyqtarët Daniela Shirka, Dhimiter Lara dhe Ilirjana Olldashi vendosën të lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila vendosi masën e sigurisë 2 vite burg për Belerin, pasi akuzohet për korrupsion aktiv në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar.
Pas vendimit të Apelit të GJKKO-së, Partia Socialiste, depozitoi një kërkesë në KQZ ku dhe i kërkuan shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme për Bashkinë e Himarës.
Keu i FRESSH, Eugen Likaj, i kërkoi KQZ-së që të shpallë të pavlefshëm mandatin e kryebashkiakut Fredi Belerit.
Në kushtet kur vendimi i dhënë nga Gjykata e Apelit për Belerin është i formës së prerë, Likaj kërkoi nga Komisioneri Qendror i Zgjedhjeve të shpallë zgjedhjet e reja për Bashkinë e Himarës.
“Sa më sipër, duke marrë parasysh mbarimin para kohe të mandatit tË Kryetarit të Bashkisë Himarë, z.Fredi Beleri, për shkak të dënimit të tij me vendim penal të formës së prerë, deklarim fajtor si dhe dënimin e tij me 2 vite bug, kërkojmë nga ana juaj, në përputhje me pikën 4 të nenit 61 të ligjit 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”i ndryshuar, të konstatohet përfundimi i parakohshëm i mandatit dhe të organizohen zgjedhje të pjesshme për Kryetarin e Bashkisë Himarë në përputhje me dispozitat e Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë”, thuhej ndër të tjera në kërkesë.
Kujtojmë se Fredi Beleri u arrestua më 12 maj të vitit të kaluar, 2023, dy ditë para zgjedhjeve lokale, pasi u kap në flagrancë duke premtuar dhe dhënë para për të blerë vota.
Prokuroria dhe Policia e Vlorës e ndoqën rastin metoda speciale hetimi, duke përdorur agjentë të infiltruar, i cili për tetë vota mori 400 mijë lekë të vjetra. Beleri dhe bashkëpunëtori i tij, Pandeli Kokaveshi u arrestuan në kushtet e flagrancës.
Pavarësisht se ndodhej në qeli Beleri arriti që të siguronte më shumë vota se kandidati i socialistëve, Jorgo Goro. Por, pavarësisht mandatimin nga KQZ Beleri nuk arriti që të betohej. Ndërkohë, me vendimin e kësaj të marte nga Gjykata e Apelit Belerit i janë shuar të gjitha shpresat për tu betuar si kryebashkiaku i himariotëve.
Discussion about this post