Në margjinat e Konferencës së Forumit të Budapestit për Ballkanin Perëndimor, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka u takua me Ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.
Dy ministrat vlerësuan se marrëdhëniet e shkëlqyera dhe pa asnjë çështje të hapur mes palëve, me angazhim të dyanshëm, do të zhvillohen edhe më tej në të ardhmen.
Ministrja Xhaçka e uroi homologun Osmani për marrjen e presidencës së OSBE, për të cilën shprehu besimin se do të kontribuojë për paqe dhe prosperitet në rajon dhe më gjerë dhe e garantoi për mbështetjen dhe angazhimin e plotë të Shqipërisë.
Gjithashtu, ministrja Xhaçka shprehu mbështetjen për presidencën tjetër të RMV-së, atë të Kartës së Adriatikut.
Ata diskutuan edhe mbi rrugëtimin e gjatë të dy vendeve drejt Bashkimit Evropian, ku pikërisht në këto momente duhet të bashkojmë përpjekjet tona më qëllim përmbushjen e detyrave të kërkuara dhe për t’i shkuar kësaj rruge deri në fund.
Kryediplomatja shqiptare po ashtu vlerësoi rolin dhe kontributin e faktorit shqiptar, i cili vazhdon të kontribuojë për sigurinë dhe prosperitetin e Maqedonisë e Veriut, që nga Marrëveshja e Ohrit, tek ajo e Prespës, si dhe ajo e fqinjësisë së mirë me Bullgarinë.
Në fund të takimit, dy ministrat ranë dakord për një vizitë të ardhshme në Shkup të Xhaçkës, në fund të këtij muaji.
Discussion about this post