Ka arritur në 89 numri i vdekjeve nga zjarret në Ishujt Hawaii. Kjo e bën zyrtarisht zjarrin në Lahaina fatkeqësinë natyrore më vdekjeprurëse të Hawait në historinë e shtetit, duke tejkaluar 61 vdekjet e konfirmuara nga një cunami në Hilo në vitin 1960.
Mbështetje shtesë e ekspertëve është vendosur në ishullin Maui, ku puna mjeko-ligjore po vazhdon për të gjetur viktimat e zjarreve shkatërruese. Qindra njerëz janë ende të pagjetur për ditë të tëra pas shpërthimit të zjarreve të para. Shumë të tjerë mbeten në strehimore emergjente pasi u larguan nga flakët.
Ndërsa zjarret tani janë kryesisht nën kontroll, përpjekjet për t’i shuar plotësisht ato po vazhdojnë në pjesë të ishullit, duke përfshirë rreth qytetit historik të Lahaina, i cili është shkatërruar.
Qentë e trajnuar për të zbuluar trupat kanë kërkuar shenja kufomash nën rrënojat në Lahaina. Deri më tani, ata kanë mbuluar vetëm 3% të zonës së kërkimit, por më shumë qen do t’i bashkohen operacionit të rikuperimit.
Shefi i policisë së qarkut Maui, John Pelletier, tha se është shumë herët për të vlerësuar shkallën e misionit për të gjetur dhe identifikuar trupat, disa prej të cilëve janë djegur Mendohet se më shumë se 2000 ndërtesa janë dëmtuar ose shkatërruar që nga shpërthimi i zjarreve. Shumica e tyre ishin shtëpi në zonën e Lahaina.
Rruga kryesore për në Lahaina u rihap për pak kohë për banorët të shtunën, përpara se të mbyllej shpejt përsëri.Qindra që u larguan me dëshmi të vendbanimit të tyre janë duke pritur në trafik, me shpresë se do të lejohen të kalojnë. Por me radhën e makinave që shtrihen për rreth një milje dhe lajmet se rruga është mbyllur edhe një herë, ata nuk e dinë nëse do të detyrohen të kthehen.
Kostoja e rindërtimit të Maui është vlerësuar në 5.5 miliardë dollarë ,sipas Qendrës së Fatkeqësive të Paqësorit (PDC) dhe FEMA, e cila po koordinon përpjekjet e ndihmës në Hawaii nga Washingtoni.
Discussion about this post