Dështimi për formimin e një qeverie të re ka rritur rrezikun që Kosova të hyjë në vitin 2026 pa buxhet.
Për ekspertin e financave, Haki Shatri, shteti rrezikon të falimentojë, teksa mund të mos ketë para as për paga, e as për pensione e shtesa për fëmijët në fillimvitin e ardhshëm.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Shatri thotë se vetëm një qeveri me kompetenca të plota mund të ndërmarrë nisma për ndryshimin e ligjit për buxhetin, apo për vazhdimin e ndarjeve buxhetore edhe për muajt e parë të 2026-tës.
“Nëse nuk gjendet ndonjë zgjidhje që të funksionalizohet një e dymbëdhjeta e buxhetit në janar, edhe tërmet të ketë, nuk guxon askush të ndërmarrë asgjë”, shprehet ai.



