Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka lënë sot në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), duke konfirmuar Aulona Bodon në detyrën e ndihmëses ligjore pranë Gjykatës së Lartë. Vendimi është marrë me vota unanime nga trupi gjykues i KPA-së, i përbërë nga Rezarta Schuetz (kryesuese), Natasha Mulaj (relatore), Albana Shtylla, Ina Rama dhe Sokol Çomo (anëtarë).

Në njoftimin e publikuar nga KPA, bëhet e ditur se vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 801, datë 19.09.2024, është lënë në fuqi, ndërkohë që kërkesa e Aulona Bodos për t’i njohur statusin e magjistratit dhe për t’u emëruar gjyqtare është rrëzuar.

Aulona Bodo nuk është pajtuar me këtë vendim dhe e ka apeluar atë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Megjithatë, KPA ka vendosur ta rrëzojë edhe këtë kërkesë, duke konfirmuar se Bodo do të vazhdojë të ushtrojë detyrën e saj si ndihmës ligjore dhe nuk do të emërohet gjyqtare në Gjykatën e Lartë.

Ky vendim përbën një zhvillim të rëndësishëm në procesin e rivlerësimit të magjistratëve dhe ka një ndikim të drejtpërdrejtë në karrierën profesionale të Aulona Bodos.

Exit mobile version