Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, i kërkoi opozitës sot në Kuvend të sqaronte qëndrimin e saj për pjesëmarrjen në komisionin e posaçëm të reformës administrativo-territoriale. Balla tha se mazhoranca është e gatshme të presë deri në mbrëmje për të marrë një përgjigje të qartë nga opozita, e cila, sipas tij, ka pasur qëndrime të ndryshme dhe ka dhënë sinjale të përziera në lidhje me bojkotin e komisionit.

Kreu i grupit parlamentar socialist e cilësoi komunikimin e opozitës si të paqartë dhe të pasigurt, duke theksuar se vendimet e opozitës shpesh herë mësohen përmes medias, dhe jo nga burime zyrtare. Ai e ironizoi opozitën për ndryshimet e qëndrimeve brenda një dite dhe për mungesën e një vokacioni të unifikuar për të komunikuar një qëndrim të qartë.

“Dje, mësuam nga media se ju jeni tërhequr nga bojkoti. Sot, thoni se nuk jeni tërhequr. Kjo është një konfuzion total. Opozita duhet të vendosë përfundimisht. Pa praninë e saj, komisioni nuk mund të funksionojë,” theksoi Balla.

Ai kërkoi një përgjigje përfundimtare nga opozita për pjesëmarrjen në mbledhjet e komisionit, duke shtuar se pa një angazhim të plotë, ky organ nuk mund të vazhdojë punën e tij normalisht.

Exit mobile version