Qeveria shqiptare ka vendosur një fond të rëndësishëm prej 210 milionë lekësh për periudhën 2026-2028, të dedikuar mbështetjes së punësimit dhe përfshirjes sociale të shtresave në nevojë. Ky fond synon të mbështesë ndërmarrjet sociale që krijojnë vende pune dhe ofrojnë shërbime për grupet më të pafavorizuara, duke subvencionuar pagën minimale dhe sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.

Skema financiare është pjesë e ndihmës shtetërore dhe do të shpërndahet përmes programit të njohur si “Fondi në mbështetje të ndërmarrjes sociale”, i propozuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe miratuar nga Komisioni i Ndihmës Shtetërore. Vendimi është tashmë i publikuar në Fletoren Zyrtare.

Përfituesit e këtij fondi mund të marrin deri në 14 milionë lekë për një ndërmarrje për një periudhë trevjeçare. Për të mundësuar përfitimin, çdo ndërmarrje duhet të nënshkruajë një deklaratë për ndihmën, ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale do të raportojë çdo vit mbi ndikimin ekonomik dhe social të skemës. Po ashtu, të dhënat për zbatimin e skemës do të ruhen për një periudhë 10-vjeçare.

Komisioni i Ndihmës Shtetërore ka vlerësuar se kjo skemë është në përputhje me ligjin e ndihmës shtetërore, nuk cenon konkurrencën dhe nuk dëmton funksionimin e tregut.

Exit mobile version