Kosova nuk do të përfitojë asnjë euro nga Plani i Rritjes të Bashkimit Europian, një iniciativë e dedikuar për zhvillimin e infrastrukturës dhe rritjen e sektorit privat në Ballkanin Perëndimor. Ky përjashtim është pasojë e krizës politike që ka kapluar vendin pas zgjedhjeve të vitit të kaluar, kur asnjëra nga partitë nuk arriti të krijonte një shumicë të qartë, duke çuar në shtyrjen e zyrtarizimit të Kuvendit për më shumë se 10 muaj.

Për të përfituar nga ky plan, që ka një buxhet prej 171 milionë eurosh, Prishtina duhet të konstituojë Kuvendin e ri, i cili duhet të dalë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit. Për ratifikimin e marrëveshjes për Planin e Rritjes, do të jenë të nevojshme dy të tretat e votave në Kuvend, përfshirë edhe ato të opozitës. Opozita refuzoi të votojë përpara shpërndarjes së Kuvendit në muajin dhjetor, duke bllokuar kështu përfitimet për vendin.

Në fillim të këtij muaji, Komisioni Evropian i bëri thirrje Kosovës ta ratifikojë sa më shpejt marrëveshjen për këtë plan, i cili synon të mbështesë zhvillimin ekonomik të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Serbinë dhe Bosnje-Hercegovinën.

Plani i Rritjes është një paketë financimi e Bashkimit Europian që fokusohet në përmirësimin e sektorëve kyçë si energjia, furnizimi me ujë, inovacioni dhe kërkimi, për t’i afruar këto ekonomitë me standardet evropiane.

Exit mobile version