Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, në bashkëpunim me Ambasadën e Shqipërisë në Londër, ka vendosur të realizojë procedurën për blerjen e një pasurie të paluajtshme që do të shërbejë si seli e përhershme e përfaqësisë diplomatike shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar. Fondi për këtë investim është i kufizuar deri në 520 milionë lekë.
Kushtet dhe procesi i blerjes
Pasuria që do të blihet duhet të jetë e përshtatshme për ushtrimin e veprimtarisë diplomatike dhe konsullore, duke siguruar kushte të përshtatshme për funksionimin e ambasadës dhe përfaqësive konsullore. Ajo gjithashtu duhet të ofrojë siguri fizike dhe të jetë e vendosur në një zonë të përshtatshme dhe afër institucioneve qendrore të shtetit pritës. Po ashtu, pasuria duhet të jetë e lirë nga çdo barrë hipotekore apo kufizim juridik.
Sipas vendimit të botuar në Fletoren Zyrtare, kreu i misionit diplomatik do të identifikojë të paktën tri oferta për pasuri të paluajtshme të llojit ndërtesë dhe truall, të cilat do t’i paraqiten një Komisioni të Posaçëm për vlerësim. Ky komision, me përbërje ndërinstitucionale, do të shqyrtojë përmbushjen e kushteve ligjore, kostot financiare dhe kushtet e projektkontratës së shitblerjes.
Komisioni dhe procedurat përfundimtare
Komisioni do të mbikëqyrë negociatat për blerjen e pasurisë dhe do të vendosë për shpalljen e ofertës fituese ose për skualifikimin e ofertave, sipas rastit. Pas përfundimit të këtij procesi, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme do të autorizojë kreun e misionit për të nënshkruar kontratën e shitblerjes.
Pas nënshkrimit të kontratës, Ministria do të autorizojë Ambasadën në Londër për të kryer pagesat përkatëse dhe për mbulimin e tarifave shoqëruese, ndërkohë që kreu i misionit do të ndjekë procedurat për regjistrimin e pasurisë sipas legjislacionit të Mbretërisë së Bashkuar.
Financimi i procesit
Efektet financiare për realizimin e këtij vendimi do të mbulohen nga buxheti i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për vitin 2025.
Ky projekt është një hap i rëndësishëm për forcimin e pranishmërisë diplomatike të Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar dhe do të kontribuoni në përmirësimin e kushteve të punës dhe shërbimeve për shtetasit shqiptarë në këtë vend.


