Bombardimet ruse mbi Ukrainë janë intensifikuar sërish, duke goditur kryesisht qytetet dhe infrastrukturën energjetike në një periudhë të ftohti ekstrem, me temperatura që arrijnë deri në -25 gradë Celsius. Pas një vale të re sulmesh, Rusia ka lëshuar mbi 450 dronë dhe 71 raketa, duke përfshirë kryesisht Kievin, por edhe Kharkivin, Dnipron dhe Zaporizhzhia-n. Si pasojë, në Zaporizhzhia janë regjistruar të paktën pesë viktima, mes të cilëve dy të rinj 18-vjeçarë.
Në të njëjtën kohë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ndodhej në Kiev dhe deklaroi se presidenti rus Vladimir Putin “i ka bërë keq llogaritë”, duke mos parashikuar asnjëherë rezistencën e fortë të Ukrainës dhe mbështetjen e aleatëve perëndimorë. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e akuzoi Putinin se kishte shkelur armëpushimin që kishte premtuar, duke e përdorur këtë periudhë për të grumbulluar raketa dhe për të vazhduar sulmet.
Në mes të këtyre zhvillimeve, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka njoftuar se do të vizitojë Kievin më 24 shkurt për të riafirmuar mbështetjen e Bashkimit Europian ndaj Ukrainës, në kuadër të katër vjetorit të luftës.
Garanci sigurie dhe reagimi perëndimor
Qeveria ukrainase dhe aleatët perëndimorë janë duke përgatitur një reagim të koordinuar ushtarak në rast të shkeljes së një armëpushimi të mundshëm nga Rusia. Plani parashikon një përgjigje në tri faza:
- Në 24 orët e para pas shkeljes, Ukraina do të reagojë ushtarakisht dhe do të njoftojë aleatët përmes kanaleve diplomatike.
- Nëse agresioni vazhdon, forcat e vendeve europiane do të ndërhyjnë, duke përfshirë mundësinë e përfshirjes së Norvegjisë, Turqisë dhe Islandës.
- Nëse ofensiva ruse vazhdon për më shumë se 72 orë, SHBA-të do të angazhojnë të gjithë kapacitetet ushtarake të tyre për një reagim masiv.
Ky plan është diskutuar fillimisht në Paris dhe më pas në Kiev, në nivel drejtuesish ushtarakë. Megjithatë, Ukraina këmbëngul se pa garanci të forta sigurie, ajo nuk do të pranojë asnjë kompromis territorial, duke patur frikë se Rusia mund të shkelë marrëveshjet e mëparshme të armëpushimit, si Memorandumi i Budapestit dhe marrëveshjet e Minskut.
Përplasjet për garancitë e sigurisë
Rusia kundërshton çdo prani ushtarake të huaj në Ukrainë dhe Ministri i Jashtëm Sergey Lavrov ka deklaruar se çdo garanci sigurie duhet të miratohet edhe nga Moska, duke paralajmëruar se trupat e huaja do të konsideroheshin “objektiva legjitime”. Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara ofrojnë garanci për siguri për një periudhë 15 vjeçare, ndërsa Zelensky kërkon 50 vite.
Një tjetër çështje e hapur është mundësia e shtrirjes së nenit 5 të NATO-s për Ukrainën, si një “anëtare pothuajse e plotë”, por kushtet për këtë mbeten të paqarta.
Për momentin, debati mbi garancitë e sigurisë dhe mundësinë e një armëpushimi mbetet i hapur, ndërsa lufta vazhdon me intensitet të lartë.


