Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve të huaj, duke u renditur si një nga destinacionet më të pëlqyera për vitin 2026. Dy media prestigjioze, “Turisti per Caso” nga Italia dhe “The Officer” nga Spanja, kanë përfshirë vendin tonë në artikujt e tyre, duke e promovuar si një destinacion turistik të jashtëzakonshëm.
Në një artikull të fundit, “Turisti per Caso” i kushton një udhëzues të detajuar për një udhëtim 7-ditor në Shqipëri, duke rekomanduar një përzgjedhje të veçantë të destinacioneve që shpalosin bukurinë, historinë dhe kulturën e vendit. Udhëtimi nis me Tiranën, kryeqytetin dinamik të Shqipërisë, ku vizitorët mund të shijojnë atraksionet më të njohura si Sheshi Skënderbej, Muzeu Historik Kombëtar dhe Xhamia Et’hem Beut, ndërsa një pamje panoramike nga Mali i Dajti ofron një tjetër dimension të qytetit.
Për ditën e dytë dhe të tretë, artikulli rekomandon vizitën në Krujë dhe Shkodër, dy qytete historike që ruajnë thelbin e identitetit kombëtar shqiptar. Më pas, Berati dhe Gjirokastra, dy qytete të njohura për arkitekturën e tyre të veçantë dhe përfshirjen në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, janë gjithashtu pjesë e itinerarit të rekomanduar.
Një tjetër atraksion i madh për turistët është Rivierë Shqiptare, e cila ofron plazhe të mahnitshme si Ksamil, Dhërmi dhe Himarë, të njohura për ujërat e kristalta. Si një përmbyllje e këtij udhëtimi të mrekullueshëm, “Turisti per Caso” sugjeron një ndalesë në Durrës, ku turistët mund të vizitojnë amfiteatrin romak dhe të eksplorojnë historinë e një nga qyteteve më të vjetra të Shqipërisë.
Po ashtu, në artikullin e “The Officer”, Shqipëria konsiderohet si një nga destinacionet më të mira për vitin 2026, duke theksuar se plazhet e Rivierës Shqiptare janë një eksperiencë që nuk duhet humbur.
Me këtë promovim të dyfishtë nga media të njohura ndërkombëtare, Shqipëria po pozicionohet gjithnjë e më tepër si një destinacion tërheqës dhe autentik për udhëtarët që kërkojnë të shijojnë një përzierje të historisë, kulturës dhe natyrës spektakolare.


