Bregdeti verior i Shqipërisë, një rajon i njohur për peizazhet e tij të paprekura dhe plazhet e qeta, po bëhet gjithnjë e më tërheqës për investitorët e huaj dhe vendas. Në një artikull të publikuar nga prestigjiozja amerikane Forbes, zona bregdetare e Shëngjinit shfaqet si një destinacion me potencial të madh për investime, falë arkitekturës moderne, mikpritjes të klasit botëror dhe përmirësimit të infrastrukturës.
Edhe pse Shëngjini mbetet një zonë e panjohur për shumë turistë ndërkombëtarë, ajo ka fituar popullaritet të madh në mesin e shqiptarëve dhe investitorëve, të cilët e shohin këtë rajon si një mundësi të artë për zhvillimin e projekteve luksoze dhe të qëndrueshme. Forbes thekson gjithashtu përkushtimin e arkitektëve dhe zhvilluesve të huaj, që po krijojnë projekte elitare, përfshirë ato afër Ranës së Hedhun, një zonë natyrore dhe të virgjër, që po kthehet në qendër të vëmendjes për zhvillimin e turizmit dhe rritjen e ekonomisë lokale.
Pjesëmarrës në këtë projekt ambicioz janë studio arkitekturore me renome ndërkombëtare, si ajo e Chris Precht, arkitekt i njohur për dizajnin e tij eksperimental dhe për projekte si “Eden Park” në godinën e Kryeministrisë. Sipas Forbes, këto investime janë më shumë se thjesht zhvillime të pasurive të paluajtshme; ato përfaqësojnë një ripërcaktim të vijës bregdetare shqiptare dhe një shenjë e rëndësishme në fushën e arkitekturës dhe turizmit.
Në aspektin e tregut të pasurive të paluajtshme, Forbes përmend se Shqipëria po tërheq blerës nga Europa Lindore, sidomos nga Polonia dhe Republika Çeke, falë çmimeve relativisht të ulëta të pronave, që variojnë nga 100 mijë deri në 200 mijë euro. Për ata që kërkojnë pronat luksoze, çmimet mbi 1 milion euro pritet të tërheqin interesin e blerësve nga Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.
Një tjetër element që do ta rrisë atraktivitetin e Shëngjinit është ndërtimi i infrastrukturës së re, si një rrugë që lidh Tiranën me Shëngjinin në vetëm 45 minuta. Po ashtu, zgjatimi i autostradës do të përmirësojë lidhjet mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, duke e kthyer këtë rajon në një destinacion tërheqës për investitorët dhe milionerët që zotërojnë jahte.
Sipas Forbes, ky zhvillim i shpejtë dhe këto projekte të guximshme në Shëngjin do të ndryshojnë imazhin e zonës dhe do të rrisin kërkesën për prona, duke e bërë këtë pjesë të Shqipërisë një pikë të nxehtë për investimet e ardhshme.


