Një tragjedi e rëndë ka tronditur qytetin Rughi, në provincën e Luccës, ku katër anëtarë të një familjeje shqiptare humbën jetën nga helmimi me monoksid karboni. Viktimat janë identifikuar si A.K., 48 vjeç, babai i familjes, bashkëshortja e tij J.K., 43 vjeçe, djali H.K., 22 vjeç, dhe vajza e tyre Xh.K., 15 vjeçe.
Vetëm vëllai i kryefamiljarit ka shpëtuar, ndodhet në gjendje kritike në spitalin e Pizës. Ai kishte shkuar për të kontrolluar familjen pasi nuk kishin përgjigjur ndaj thirrjeve të tij.
Ngjarja, e cila dyshohet të ketë ndodhur mbrëmjen e së mërkurës, ka tronditur gjithashtu autoritetet dhe banorët e zonës. Kur forcat e rendit dhe të afërmit hynë në banesën trekatëshe në rrugën “Via Galgani”, ata gjetën trupat e pajetë të familjarëve të shtruar në dysheme, ndërsa tavolina ishte ende e shtruar për darkë.
Vëllai i viktimave humbi ndjenjat për shkak të gazit toksik dhe ra në tokë para syve të karabinierëve, të cilët arritën të dilnin në kohë dhe kërkuan ndihmë urgjente. Ai u dërgua menjëherë në spitalin e Cisanellos.
Edhe disa nga karabinierët, të cilët hynë për të ofruar ndihmën e parë, u helmuan nga monoksidi i karbonit, por pa pasoja të rënda për jetën.
Hetimet për këtë tragjedi kanë nisur dhe autoritetet italiane dyshojnë se shkaku i incidentit mund të ketë qenë një defekt teknik në sistemin e ngrohjes të banesës.


