Miliona qytetarë në Iran dolën sot në rrugë për të shënuar përvjetorin e Revolucionit Islamik të vitit 1979, sipas raportimeve të mediave shtetërore. Festimet u zhvilluan në të gjithë vendin, ndërsa në Teheran mbështetës të qeverisë u mblodhën në bulevardet kryesore të kryeqytetit.
Agjencia shtetërore e lajmeve IRNA raportoi se aktivitete u organizuan në mbi 1 400 qytete dhe rreth 40 000 fshatra. Si çdo vit, në ceremoni u ekspozuan edhe pajisje ushtarake, përfshirë lëshues të lëvizshëm të raketave balistike. Në festime morën pjesë ministra dhe drejtues të lartë ushtarakë.
Presidenti Masoud Pezeshkian bëri thirrje për unitet kombëtar përballë, siç tha ai, “kërcënimeve dhe dezinformatave”, duke pranuar njëkohësisht se vendi përballet me sfida dhe mangësi. Një natë më parë, në disa zona të Teheranit u dëgjuan thirrje “Allahu Ekber”, slogan që daton nga revolucioni kundër Shahut në vitin 1979.
Megjithatë, përvjetori i këtij viti zhvillohet në një klimë të tensionuar, pas protestave të fundit të shkaktuara nga kriza e thellë ekonomike. Organizata të të drejtave të njeriut raportojnë për viktima dhe mijëra të arrestuar gjatë përplasjes së demonstruesve me forcat e sigurisë, ndërsa autoritetet iraniane nuk kanë publikuar shifra zyrtare të detajuara.
Protestat, që nisën fillimisht për shkak të vështirësive ekonomike dhe rritjes së çmimeve, morën përmasa më të gjera kundër sistemit qeverisës. Aktualisht situata në rrugë është qetësuar, por sfidat ekonomike vijojnë të rëndojnë mbi qytetarët.
Monedha kombëtare, riali, ka pësuar rënie të ndjeshme që nga fillimi i vitit, duke reflektuar presionin e vazhdueshëm ekonomik që përjeton vendi.


