Elisa Spiropali u ndal sot në fjalën e saj në Kuvend te marrëdhënia me Kosovën, duke e cilësuar si një përgjegjësi historike dhe kombëtare për Shqipërinë.
Sipas ministres, Shqipëria do të mbetet një zë i fortë për të drejtën e Kosovës, për integrimin e saj ndërkombëtar dhe për dinjitetin e shtetit, sepse stabiliteti i rajonit kalon përmes një Kosove të fortë, të njohur dhe të integruar në strukturat euroatlantike. Në këtë kuadër, proceset në Hagë kanë një rëndësi të veçantë.
“Shqipëria është dhe do të mbetet e angazhuar ndaj drejtësisë ndërkombëtare. Por drejtësia ndërkombëtare nuk është një koncept abstrakt. Ajo matet me standardin e barazisë, koherencën dhe aftësinë për të mos u kthyer në instrument të leximeve të njëanshme historike”, tha Spiropali, duke theksuar se lufta e Kosovës ishte një luftë për mbijetesë dhe liri, pas represionit sistematik, dhe jo një konflikt për pushtet.
Ministrja nënvizoi se çdo proces gjyqësor që lidhet me atë periudhë duhet të zhvillohet me vetëdije të plotë për kontekstin, disproporcionin e forcave dhe realitetin e krimeve ndaj popullsisë civile.
“Drejtësia nuk mund të funksionojë me standarde të dyfishta dhe nuk mund të krijojë perceptimin se viktima dhe agresori vendosen në të njëjtin plan moral dhe historik. Kur drejtësia humbet proporcionalitetin, ajo rrezikon të humbasë legjitimitetin”, tha Spiropali.
Ajo theksoi se Shqipëria do të mbrojë me dinjitet të vërtetën historike të Kosovës, duke garantuar standarde të larta juridike, transparencë dhe trajtim të barabartë në çdo proces. “Pa drejtësi të drejtë, nuk ka pajtim të qëndrueshëm. Dhe pa të vërtetë historike, nuk ka paqe të qëndrueshme në rajon”, përfundoi ministrja e Jashtme.


