Presidenti i Ukrainës,Volodymyr Zelensky ka kërkuar që Bashkimi Evropian të japë një datë të qartë për anëtarësimin e vendit të tij, duke propozuar vitin 2027 si objektiv të arritshëm. Në një intervistë për Financial Times, në prag të përvjetorit të katërt të pushtimit rus, ai theksoi rëndësinë e një afati konkret për hyrjen në BE.
Gjatë një konference për shtyp në Kiev, ku ishin të pranishëm presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, Zelensky përsëriti kërkesën për një “korsi të përshpejtuar” drejt anëtarësimit, duke nënvizuar se kjo është një vendimmarrje politike e BE-së dhe nuk kërkon miratim nga aktorë të tjerë ndërkombëtarë.
Sipas tij, aspirata për integrim evropian është në qendër të përpjekjeve të Ukrainës që nga protestat e vitit 2014 në sheshin Maidan Nezalezhnosti, kur ish-presidenti pro-rus Viktor Yanukovych refuzoi të nënshkruante marrëveshjen e asociimit me BE-në. Zelensky kujtoi gjithashtu ndikimin destabilizues të Rusisë, nga aneksimi i Krimesë dhe konflikti në Donbas, deri te pushtimi në shkallë të gjerë në vitin 2022.
Përgjigjja nga Brukseli mbeti më e rezervuar. Ursula von der Leyen theksoi se Ukraina është “në rrugën e duhur” drejt anëtarësimit, por procesi varet nga përmbushja e kritereve dhe meritokracia, duke shtuar se nuk është e mundur të caktohet një datë e saktë. Antonio Costa pohoi se e ardhmja e Ukrainës është brenda Bashkimit Europian dhe foli për “progres në të ardhmen”, pa dhënë afate konkrete.


