Një valë e re tarifash prej 10 për qind e vendosur nga Shtetet e Bashkuara ka rritur presionin mbi eksportuesit në Ballkan, ndërsa Kosova renditet ndër vendet më të goditura, sipas një raporti të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD). Shqipëria, nga ana tjetër, përballet me ndikim relativisht të ulët.
Me hyrjen në fuqi të tarifave më 24 shkurt, eksportuesit kosovarë pritet të përballen me kosto më të larta dhe konkurrencë më të ashpër në tregun amerikan. Raporti i EBRD-së rendit Kosovën, Armeninë, Egjiptin, Kenian dhe Ukrainën si vendet më të goditura, me rritje tarifore që luhatet nga 3.7 deri në 4.8 pikë përqindjeje.
Sipas të dhënave, Shqipëria ka një rritje mesatare të tarifave me 2 pikë përqindje – nga 9 në 11% – duke mbetur ndër vendet me tarifa më të ulëta në rajon. Ndërkohë, vende si Bosnja, Serbia, Moldavia dhe Tunizia kanë përfituar relativisht, pasi tarifat ndaj tyre kanë pësuar ndryshime minimale.
Raporti thekson gjithashtu se mesatarisht, tarifat e importit të SHBA-së për vendet ku operon EBRD janë rritur nga 14.6 në 15 për qind, duke rritur presionin mbi eksportuesit rajonalë. Eksportet e Kosovës në SHBA përfshijnë ushqime, lëngje, tekstil, dyshekë dhe produkte druri e plastike, me një vlerë që ka shënuar rritje nga 3 milionë euro në 2019 në mbi 131 milionë euro në 2022.
Më 20 shkurt, Gjykata Supreme e SHBA-së rrëzoi tarifat globale të Trumpit, përveç atyre për çelikun, aluminin, drurin dhe automobilat. Presidenti amerikan më pas vendosi një tarifë të re 10 për qind për importet, duke kërcënuar më pas rritjen në 15 për qind, pa nxjerrë ende direktivë zyrtare. Sipas tij, këto masa synojnë të reduktojnë deficitin tregtar amerikan, i cili kohët e fundit arriti një nivel rekord prej rreth 1.2 trilionë dollarë.


