Shtetet e Bashkuara po mbajnë nën presion Moskën dhe po nxisin Ukrainën për arritjen e një marrëveshjeje paqeje, duke u vetëcilësuar si aktori global që mund të japë fund gjakderdhjes në Ukrainë. Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, theksoi se zgjidhja e vetme mbetet tryeza e bisedimeve.
“Administrata ka rritur presionin ndaj Moskës. Presidenti Trump vendosi sanksione shtesë ndaj kompanisë Rosneft dhe vazhdojmë të furnizojmë Ukrainën me armatime. Jemi të vetmit që kemi arritur të bëjmë negociatorët rusë dhe ukrainas të ulen dhe të flasin me njëri-tjetrin”, deklaroi Rubio.
Ai e cilësoi konfliktin si të pakuptimtë dhe paralajmëroi se durimi i Shtëpisë së Bardhë nuk është i pafundëm: “Lufta në Ukrainë nuk ka një zgjidhje ushtarake. Ajo do të zgjidhet përmes negociatave dhe ne jemi katalizatori i vetëm. Nëse ne heqim dorë, askush tjetër nuk mund ta bëjë”.
Megjithatë, situata në terren mbetet e tensionuar. Në Zaporizhzhia, një goditje mbi një ndërtesë banimi la të paktën 7 të lënduar, ndërsa në Kharkiv, 14 persona, përfshirë një fëmijë 7-vjeçar, u plagosën pas një vale sulmesh.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, pas një bisede telefonike me Trump, konfirmoi se në mars pritet raundi i ri i bisedimeve, që synon të hapë rrugën për një takim të nivelit të lartë mes liderëve, me shpresën për një progres drejt paqes.


