Komisionerja për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Marta Kos, ka njoftuar se është shumë afër finalizimit të një metodologjie të re për procesin e pranimit të vendeve kandidate në Bashkimin Evropian.
Në një prononcim për mediat ukrainase, Kos sqaroi se dokumenti i ri do të përfshijë opsione dhe skenarë të mundshëm, të cilat do t’u paraqiten shteteve anëtare për diskutim. Ajo theksoi se një nga idetë në shqyrtim është krijimi i një faze të ndërmjetme, e cila do të paraprijë anëtarësimin e plotë të vendeve të kandidateve.
“Jemi në fazën përfundimtare të përgatitjes së metodologjisë së ndryshuar. Do të paraqesim opsione dhe më pas do të diskutojmë me shtetet anëtare për hapat e mëtejshëm,” tha Kos, duke nënvizuar se vendimmarrja përfundimtare do të varet nga konsensusi mes vendeve të BE-së.
Kos identifikoi katër shtete që janë aktualisht në pararojë të procesit të zgjerimit: Mali i Zi, Shqipëria, Ukraina dhe Moldavia. Ajo vlerësoi se Mali i Zi dhe Shqipëria kanë bërë përparim të dukshëm në zbatimin e reformave, ndërsa Ukraina dhe Moldavia, megjithëse ndodhen në një fazë më të hershme, po shënojnë progres të qëndrueshëm, krahasuar me vendet e tjera të rajonit.
Komisionerja theksoi gjithashtu rëndësinë e forcimit të institucioneve demokratike dhe respektimit të ndarjes së pushteteve si elemente thelbësore për integrimin e vendeve kandidate në BE.
Rishikimi i metodologjisë së zgjerimit pritet të hapë një debat të ri brenda Bashkimit Evropian për mënyrën dhe ritmin e integrimit të vendeve kandidate në vitet në vijim.


