Banka e Shqipërisë po miraton një projektvendim të ri për të rritur transparencën e tarifave lidhur me këmbimin e monedhës, sidomos në transaksionet që përfshijnë bankomatet dhe përdorimin e kartave të pagesës. Ky vendim synon të informojë qytetarët në mënyrë të qartë dhe të plotë për kursin real që aplikohet dhe për çdo kosto shtesë që mund të paguajnë gjatë këmbimit të monedhave.
Sipas projektvendimit të ri, bankat dhe operatorët e pagesave do të jenë të detyruar të tregojnë diferencën midis kursit të aplikueshëm dhe kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, në formë përqindjeje, të njohur si “mark-up”, para se klienti të konfirmojë transaksionin. Kjo do të ndihmojë përdoruesit të kuptojnë më mirë koston e vërtetë të shërbimit që po përdorin.
“Ofruesit e shërbimeve të pagesave dhe të shërbimeve të këmbimit të monedhës në ATM ose në pikën e shitjes duhet të shfaqin qartë përqindjen e diferencës që tregon sa ndryshon kursi i aplikueshëm nga kursi zyrtar i Bankës së Shqipërisë,” thuhet në dokumentin e Bankës së Shqipërisë. Kjo do të mundësojë që qytetarët të marrin vendime të informuara për sa i përket realizimit të transaksioneve.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është kërkesa për njoftimin elektronik të konsumatorëve pas kryerjes së transaksionit. Çdo kartë pagese që lidhet me llogarinë e përdoruesit do të njoftohet në lidhje me tarifat dhe kursin e përdorur. Ky informacion duhet të ofrohet qartë në ATM ose në pikat e shitjes dhe gjithashtu të dërgohet përmes mjeteve elektronike të komunikimit për konsumatorin.
Ky projektvendim ka si qëllim rritjen e transparencës dhe mbrojtjen e konsumatorëve nga kosto të fshehura që mund të lindin gjatë këmbimit të monedhës ose gjatë transaksioneve me kartë. Vendimi pritet të hyjë në fuqi më 1 dhjetor 2027 dhe ka për qëllim që t’i bëjë shërbimet bankare më të krahasueshme dhe të kuptueshme për qytetarët.


