Delegacionet e Shteteve të Bashkuara, Ukrainës dhe Rusisë kanë arritur një marrëveshje për shkëmbimin e 314 të burgosurve, në kuadër të përpjekjeve për të çuar përpara procesin e paqes. Lajmi u bë i ditur nga i dërguari special i presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, përmes një postimi në rrjetin social X.
Sipas Witkoff, ky është shkëmbimi i parë i të burgosurve mes palëve pas një periudhe prej pesë muajsh dhe përbën një hap konkret të dalë nga bisedimet e cilësuara si produktive. Ai theksoi se, megjithëse marrëveshja është një zhvillim pozitiv, mbetet ende shumë punë për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë. “Angazhimi i vazhdueshëm diplomatik po sjell rezultate të prekshme”, u shpreh ai.
Marrëveshja vjen në një kohë kur bisedimet për paqe po zhvillohen në Emiratet e Bashkuara Arabe, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve amerikanë, ukrainas dhe rusë. Ndërsa në tryezën diplomatike raportohet për progres, situata në terren mbetet e tensionuar.
Forcat ruse kanë vijuar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike dhe zonave civile të Ukrainës. Gjatë një sulmi ajror me dronë mbi Kiev, dy persona u plagosën. Sipas Forcave Ajrore të Ukrainës, Rusia lëshoi dy raketa balistike dhe 183 dronë, nga të cilët 156 u rrëzuan ose u neutralizuan nga mbrojtja ajrore.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se numri i ushtarëve ukrainas të vrarë gjatë katër viteve të luftës ka arritur në rreth 55 mijë. Ai shtoi se një numër i konsiderueshëm personash vazhdojnë të rezultojnë të zhdukur zyrtarisht.


