Qeveria shqiptare ka vendosur si objektiv rritjen e pagave për personelin ushtarak, me synimin që ato të arrijnë mesataren e vendeve të NATO-s deri në vitin 2029. Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, përmes një postimi në rrjetet sociale.
Ministri shpjegon se rritja e pagave do të realizohet në mënyrë të diferencuar, sipas niveleve të hierarkisë ushtarake. Konkretisht, për gradat bazë parashikohet një rritje nga 60 deri në 70 për qind, ndërsa për nivelet më të larta të komandimit rritja do të jetë nga 30 deri në 40 për qind.
Sipas Vengut, investimi në burimet njerëzore mbetet një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Mbrojtjes. Ai thekson se forcimi i Forcave të Armatosura nuk lidhet vetëm me modernizimin dhe trajnimet, por edhe me përmirësimin e kushteve financiare të personelit.
“Kapacitetet njerëzore nuk ndërtohen vetëm përmes trajnimeve, por edhe përmes pagave që pasqyrojnë përgjegjësinë, profesionalizmin dhe sakrificën”, shkruan ministri i Mbrojtjes.


