Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në lidhje me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë, duke shpërndarë këtë herë pjesë nga fjala në gjyq e avokatit të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Përmes një postimi, Rama u shpreh se qëndrimi i mbajtur nga mbrojtja në sallën e gjyqit është mënyra se si duhet folur “përballë idiotësisë ndërkombëtare”, duke përsëritur kështu kritikat e tij ndaj procesit që po zhvillohet në Hagë.
Në fjalën e tij, avokati i Thaçit theksoi parimin e prezumimit të pafajësisë, duke deklaruar se klienti i tij duhet të konsiderohet i pafajshëm deri në provimin e fajësisë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm.
“Hashim Thaçi është i pafajshëm. Ky është pozicioni juaj fillestar ndërsa filloni me shqyrtimet. Ne e dimë se ai është i pafajshëm në këtë pikë të procedurës, sepse ligji kërkon që ju të supozoni se ai është i pafajshëm”, u shpreh avokati para trupit gjykues.
Ai kritikoi mënyrën se si, sipas tij, në disa raste është interpretuar koncepti i pafajësisë në gjykatat ndërkombëtare, duke theksuar se procesi në fjalë nuk është një shqyrtim i jetës së Hashim Thaçit, por një provë për të vërtetuar nëse Zyra e Prokurorit të Specializuar (PSO) mund të mbështesë akuzat e ngritura.
“Para jush keni katër burra, për të cilët ligji thotë se duhet të prezumohen të pafajshëm. Ky gjyq nuk është një shqyrtim i jetës së Hashim Thaçit, është një provë e pretendimit të PSO-së se Hashim Thaçi nuk duhet të gëzojë më prezumimin e pafajësisë”, tha ai.
Sipas mbrojtjes, nëse Prokuroria nuk arrin të bindë gjykatën përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, atëherë duhet të shpallet pafajësia e të akuzuarve. “Nëse arrini në përfundimin se ekziston një shpjegim i arsyeshëm i provave përveç se Hashim Thaçi është fajtor, atëherë duhet të konstatoni se Prokuroria Speciale ka dështuar dhe të jepni vendim lirimi”, u shpreh avokati.
Kryeministri Rama ka mbajtur edhe më herët qëndrime publike në mbështetje të Hashim Thaçit dhe ish-drejtuesve të tjerë të UÇK-së që po përballen me drejtësinë në Hagë, duke deklaruar se ndërkombëtarët kanë gabuar rëndë në arsyetimin dhe qasjen ndaj këtij procesi gjyqësor.


