Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, zhvilloi më 25 shkurt një takim me homologun nga Kosova, Glauk Konjufca, ku në fokus ishte bashkëpunimi dypalësh dhe integrimi euroatlantik i Kosovës.
Në konferencën e përbashkët për mediat, Spiropali theksoi se Kosova meriton statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar barazinë ndërkombëtare të saj si “çështje drejtësie”. Ajo u shpreh se Shqipëria mbështet një dialog konstruktiv me Serbinë, por nënvizoi se njohja e Kosovës si shtet i pavarur mbetet thelbësore.
“Serbia duhet të pranojë realitetin se Kosova është shtet i pavarur. Shqipëria do të vazhdojë ta mbështesë fuqishëm Kosovën për anëtarësim në sa më shumë organizata ndërkombëtare”, deklaroi ajo.
Duke iu referuar procesit gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Spiropali tha se Shqipëria respekton drejtësinë ndërkombëtare dhe pavarësinë e saj, por kundërshton çdo standard të dyfishtë. “Drejtësia nuk mund të vendosë viktimën dhe agresorin përballë njëra-tjetrës”, u shpreh ajo, duke theksuar se procesi duhet të zhvillohet në kontekstin e plotë të luftës së Kosovës.
Sipas saj, lufta për liri e Kosovës nuk është në gjyq dhe nuk mund të barazohet me veprimet e një shteti agresor, duke kujtuar dhunën dhe vrasjet e civilëve shqiptarë gjatë luftës.
Ministrja theksoi gjithashtu rëndësinë e integrimit të Kosovës në BE dhe afrimin me strukturat e NATO-s, si element kyç për sigurinë në rajon. Në planin ekonomik, ajo kërkoi rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe funksionalizimin e një tregu të përbashkët mbarëshqiptar, si dhe përshpejtimin e projekteve infrastrukturore, përfshirë hekurudhën Durrës–Prishtinë.
Në përfundim, Spiropali deklaroi se Tirana zyrtare ka lobuar dhe do të vijojë të lobojë për ish-krerët e UÇK-së që mbahen në Hagë, duke theksuar se Kosova si shtet dhe lufta e saj çlirimtare nuk mund të vihen në gjyq.


