27 Janari njihet si Dita Ndërkombëtare Përkujtimore e Holokaustit. Në vitin 2005 Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë që shpallte 27 janarin, si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit në nderim të viktimave të Holokaustit. Kjo datë përkon me çlirimin e kampit nazist të përqendrimit Auschwtz-Birkenau më 27 janar 1945.
Kjo ditë përkujton miliona viktima të politikave të gjenocidit të Gjermanisë naziste që u kryen gjatë Luftës së Dytë Botërore, si dhe përqëndrohet në përpjekjet bashkëkohore për të luftuar urrejtjen dhe anti-semitizmit.Gjatë Luftës së Dytë Botërore rreth gjashtë milionë njerëz u vranë, në përpjekjen sistematike naziste për shfarosjen e hebrenjve.Hebrenj nga e gjithë Gjermania dhe vendet europiane të pushtuara prej saj, u grumbulluan në kampe përqendrimi, ku u helmuan me gaz, u qëlluan dhe u lanë të vdisnin urie.
Në kampin Auschwitz vdiqën më shumë se një milion njerëz, të vrarë në dhomën e gazit, të rraskapitur nga kushtet e pamundura të punës, ekzekutimet e shumta, rrahjet dhe torturat nga agjentët.
Viktimat ishin kryesisht hebrenj, rusë, polakë dhe rom. Kampet e vdekjes, vendet e terrorit u çliruan më 27 janar 1945. Momentet e shpresës, në të cilën u gjetën rreth 7 mijë të burgosur ende gjallë, njerëzimi i kujton ende sot, në ditën e përkujtimit të Holokaustit.
Roli i Shqipërisë për të shpëtuar hebrenjtë nga tmerret e holokaustit është i ditur botërisht. Shqipëria është një prej vendeve të rralla në botë ku gjatë Luftës së Dytë Botërore, u strehuan e gjetën shpëtim, jo vetëm hebrenjtë që jetonin në Shqipëri, por edhe disa mijëra hebrenj të vendeve të Ballkanit dhe të Europës Qendrore.
Fjala “holokaust” vjen nga greqishtja e lashtë dhe do të thotë sakrificë. Para Luftës së Dytë Botërore, ky term përdorej për të përshkruar vdekjen e një grupi të madh njerëzish.
Discussion about this post