Dhjetë aksidente kanë ndodhur në rrugët e Shqipërisë në 6 orët e fundit. Shkak kryesor është bërë lagështia në rrugë si pasojë e reshjeve intensive që kanë filluar prej orëve të mëngjesit. Po ashtu, dhe rrugët e amortizuara në disa akse nacionale.
Rreth orës 06.00 të mëngjesit, ndodhi aksidenti i parë në aksin rrugor Tepelenë-Gjirokastër, në vendin e quajtur “Luzat”. Dy makina janë përplasur me njëra-tjetrën dhe për pasojë dy persona janë lënduar.
Pak orë më vonë një makinë është përmbysur në aksin Librazhd-Elbasan, në vendin e quajtur “Kthesat e Murrashit”. Drejtuesi ka humbur kontrollin gjatë lëvizjes dhe për pasojë makina është përmbysur në rrugë. Fatmirësisht nuk ka patur të lënduar.
Aksidenti i tretë ka ndodhur në segmentin Kukës-Morinë të Rrugës së Kombit. Një betoniere është përplasur me trafikndarëset e rrugës e për pasojë ka mbetur i plagosur shoferi, shtetas nga Kosova, i cili është dërguar me urgjencë në spitalin e Kukësit.
Gjithashtu, në Kukës gjatë paradites së sotme janë shënuar edhe 3 aksidente të tjera me tre të plagosur.
Dy aksidente janë regjistruar dhe në Qarkun e Fierit. Dy makina janë përplasur kokë më kokë e për pasojë janë dëmtuar dy drejtuesit e automjeteve dhe një pasagjer 65 vjeçar, të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve.
Në Portëz dy makina janë përplasur me njëra- tjetrën por fatmirësisht nuk ka pasur persona të lënduar. Edhe në Elbasan një makinë ka përplasur një motor dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Aksidenti i dhjetë ka ndodhur në aksin Vau i Dejës-Bushat. Tre mjete janë përfshirë në përplasje me njëri-tjetrin dhe të lënduar kanë mbetur tre persona, një prej të cilëve në gjendje të rëndë.
Discussion about this post