Sot është 32-vjetori i hapjes së ambasadave për shqiptarët që ishte shenja e parë e lëvizjes antikomuniste të vitit 1990, më 2 korrik. Në një Shqipëri të varfër e të rrënuar ekonomikisht, njerëzit shkuan drejt dyerve të ambasadave në Tiranë të cilat iu hapën atyre portën drejt lirisë së munguar.
Ylli Bodinaku ishte heroi i ditës më 2 korrik, datë e rëndësishme që ndryshoi historinë e shtetit shqiptar. Ish i burgosuri politik, atëherë 37 vjeçar, rrëzoi me kamion murin rrethues të ambasadës gjermane, duke u futur në oborrin e saj me familjen dhe fëmijët e mitur si dhe 40 persona të tjerë përsipër.
Ylli sfidoi të gjithë rrethimet e policisë dhe Sigurimit të Shtetit, duke i krijuar mundësinë një morie shqiptarësh të kërkonin azil politik nga vendi më i izoluar i Europës pas 45 vjet diktaturë të pashembullt komuniste. Pas 10 ditësh afro 5 mijë 200 shtetas shqiptarë, që hynë në ambasadat e vendeve perëndimore u lejuan nga qeveria komuniste të dilnin nga vendi dhe të shkonin në shtete të tjera.
Hapja e ambasadave perëndimore atë korrik për shqiptarët e varfër dhe të shtypur nga regjimi stalinist i Enver Hoxhës dhe pasuesve të tij pas vdekjes ishte shenja e parë se pas pak muajsh po vinte lëvizja antikomuniste e studentëve. Bashkë me revoltën e tyre erdhi edhe pluralizmi politik.
tv6+1vlora
Discussion about this post