Kryeministri Edi Rama ka mbërritur sot, më 4 shkurt, në Vatikan, për një vizitë të rëndësishme zyrtare. I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda Rama, dhe djali i tyre, Zaho, ndalesa e parë e tij ishte në bazilikën e famshme të Genazzano, një vend që ka një rëndësi të veçantë për historinë shqiptare.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama ka theksuar se kjo është hera e parë që një kryetar shteti ose qeverie shqiptare viziton këtë bazilikë, ku ndodhet shëmbëlltyra e Zojës së Këshillit të Mirë, që u soll në vitin 1467 nga muri i Kishës së Shkodrës. Ai shton se që nga ajo kohë, asnjë përfaqësues i lartë i shtetit shqiptar nuk kishte vizituar këtë vend të shenjtë, ku flamuri shqiptar është gjithmonë pranë Zojës së Shqipërisë.

Rama ka kujtuar gjithashtu se Papa Leoni XVI, menjëherë pas zgjedhjes së tij, vizitoi këtë bazilikë për të u lutur para Zojës së Shqipërisë, e njohur edhe si Regina di Albania – Mbretëresha e Shqipërisë.

Sipas agjendës së publikuar, Kryeministri Rama do të vizitojë më pas Pallatin Apostolik të Vatikanit, ku do të pritet nga Prefekti i Shtëpisë Papnore. Audienca më e rëndësishme e vizitës do të jetë me Papa Leoni XIV, në Bibliotekën Papnore të Pallatit Apostolik.

Më tej, Rama do të vizitojë Bazilikën e Shën Pjetrit, ku do të shkojë në mjediset e Stanza delle Lacrime, Cappella Paolina, Sala Reggia, Sistina dhe do të nderojë altarin e Shën Gjon Palit II. Në përfundim të vizitës së tij në Vatikan, Kryeministri Rama dhe bashkëshortja e tij do të bëjnë një vizitë edhe në vendvarrimin e Papa Françeskut, në bazilikën Santa Maria Maggiore.

Pjesë e kësaj vizite do të jenë gjithashtu takime të tjera të rëndësishme, përfshirë një takim me Kardinalin Pietro Parolini, Sekretarin e Shtetit të Vatikanit.

Exit mobile version