Reforma zgjedhore në Shqipëri ka mbetur në pauzë për shkak të tensioneve politike, duke vënë në rrezik përmbushjen e standardeve ndërkombëtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Komisioni i posaçëm parlamentar, i krijuar në tetor për të trajtuar këtë reformë, nuk ka zhvilluar asnjë mbledhje dhe nuk ka dhënë asnjë rezultat konkret për shkak të përplasjes mes mazhorancës dhe opozitës. Kjo ka pamundësuar një dialog të frytshëm dhe ka shtyrë përparimin në reformat e tjera, si ajo territoriale.
Në këtë kuadër, partnerët ndërkombëtarë, sidomos OSBE dhe misioni i saj i vëzhgimit të zgjedhjeve (ODIHR), kanë apeluar për një angazhim më të madh nga aktorët politikë shqiptarë. Diplomati i OSBE-së, Michel Tarran, nënvizoi se është urgjente të rifillojë puna e komisionit të reformës zgjedhore dhe të implementohen rekomandimet e ODIHR pas zgjedhjeve të fundit.
“Rekomandimet e ODIHR synojnë përmirësimin e ligjit zgjedhor dhe adresimin e problemeve që kanë ekzistuar për vite me radhë. Ligji aktual zgjedhor ende nuk garanton standardet e nevojshme,” tha ambasadori Tarran. Ai theksoi se ky është një vlerësim dhe një rekomandim i vazhdueshëm i ODIHR, duke kërkuar një reformë më të thellë dhe efikase.
Një nga rekomandimet kryesore të ODIHR-it është depolitizimi i administratës zgjedhore, duke kërkuar që komisionerët dhe numëruesit e votave të mos përfaqësojnë më interesa partiake. Po ashtu, kërkohet forcimi i mekanizmave që ndalojnë përdorimin e burimeve shtetërore gjatë fushatave elektorale.
Pavarësisht kërkesave ndërkombëtare dhe rekomandimeve të ODIHR, komisioni i reformës zgjedhore ka ngecur që në hapat e parë. Madje, palët politike nuk arritën as të miratojnë ligjin për financimin e partive politike, një detyrim që Shqipëria kishte marrë nga Bashkimi Europian që në dhjetor të vitit të kaluar.
Kjo situatë ka shkaktuar shqetësim mes partnerëve ndërkombëtarë, të cilët vijojnë të apelojnë për një dialog të qëndrueshëm dhe për një angazhim të përgjegjshëm nga ana e aktorëve politikë shqiptarë, për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme në të ardhmen.



