Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga bashkëshortja Linda Rama, djali i tyre Zaho dhe delegacioni zyrtar, u prit të enjten në audiencë nga Papa Leoni XIV, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Vatikan, me ftesë të Selisë së Shenjtë.
Takimi u zhvillua në Bibliotekën Papnore të Pallatit Apostolik. Kryeministri Rama ndau sot në rrjetet sociale disa momente nga kjo audiencë, ku shfaqet i shoqëruar nga familja e tij.
Një ditë më parë, Rama ishte pritur në Pallatin Apostolik nga prefekti i Shtëpisë Papnore dhe përfaqësues të Selisë së Shenjtë, përpara audiencës me Atin e Shenjtë.
Në kuadër të programit zyrtar, kryeministri u ndal fillimisht në bazilikën e Genazzano-s, ku ndodhet shembëlltyra e Zojës së Këshillit të Mirë, e vendosur mbi një fragment të shkëputur nga muri i Kishës së Shkodrës që në vitin 1467.
Vizita vijoi në Bazilikën e Shën Pjetrit, ku Rama dhe delegacioni shqiptar vizituan ambientet historike dhe fetare, përfshirë Stanza delle Lacrime, Cappella Paolina, Sala Reggia, Kapelën Sistine si edhe altarin e Shën Gjon Palit II.
Në përfundim të qëndrimit në Vatikan, kryeministri Rama dhe bashkëshortja e tij vizituan edhe vendvarrimin e Papa Françeskut në bazilikën Santa Maria Maggiore.
Gjatë kësaj vizite, Rama zhvilloi gjithashtu takime të tjera zyrtare, mes të cilave edhe me kardinalin Pietro Parolin, sekretar shteti i Vatikanit.



