Gjatë periudhës janar-dhjetor 2025, shërbimet doganore të ofruara përmes platformës “e-Albania” kanë regjistruar një rritje të qëndrueshme, duke reflektuar progresin e vazhdueshëm të procesit të digjitalizimit dhe rritjen e përdorimit të shërbimeve online nga bizneset dhe qytetarët.
Sipas një njoftimi për shtyp të Doganës Shqiptare, gjatë vitit 2025 janë regjistruar 2,355 aplikime online, një rritje prej 12% krahasuar me vitin 2024, ku numri i aplikimeve ishte 2,100. Ky tregues, sipas Doganës, pasqyron besimin në rritje ndaj shërbimeve elektronike dhe eficiencën e tyre në lehtësimin e procedurave doganore.
Po ashtu, gjatë këtij viti janë përditësuar 13,014 autorizime për regjime të posaçme, duke shënuar një rritje prej 1,16% krahasuar me vitin 2024, ku numri i autorizimeve ishte 12,864. Ky proces ka ndihmuar në përmirësimin e administratës dhe monitorimit të regjimeve doganore, si dhe ka kontribuar në rritjen e transparencës procedurale.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave vazhdon angazhimin për të ofruar shërbime më të shpejta, transparente dhe efikase, përmes zgjerimit dhe përmirësimit të shërbimeve digjitale, në funksion të lehtësimit të ndërveprimit me biznesin dhe qytetarët.



