Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka njoftuar se Memoriali i Gjergj Fishtës në Lezhë do të shndërrohet në një qendër multifunksionale kreative me dimensione ndërkombëtare, përmes një projekti të bashkëpunimit strategjik me Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” dhe një nga shkollat më prestigjioze të fotografisë në Francë (ESPN). Projekti do të realizohet me mbështetje nga partnerët evropianë.

Sipas ministrit Gonxhja, ky projekt i ri ka për qëllim krijimin e një hapësire që do të ofrojë mundësi për zhvillim artistik dhe kulturor, duke përfshirë disa elementë kyç:

  1. Rezidencë Artistike & Shkëmbime: Artistë dhe studentë nga Shqipëria dhe Franca do të punojnë së bashku përmes trajnimeve dhe kërkimeve shkencore, duke krijuar mundësi për zhvillim të shkëmbimeve kulturore.
  2. Itinerari i Gjurmëve Fishtjane: Ky rrugëtim hulumtues do të lidhi historinë e Gjergj Fishtës me arkivin e pasur të Muzeut “Marubi”, duke ofruar mundësi për eksplorimin e trashëgimisë kulturore dhe artistike të Shqipërisë.
  3. Evente dhe Aktivitetet e Kulturës dhe Ekologjisë: Memoriali do të shërbejë si një qendër për evente ndërkombëtare që promovojnë artin, fotografinë, dhe ekologjinë, duke e shndërruar atë në një pikëtakim të rëndësishëm për komunitetin artistik global.

Ministri Gonxhja gjithashtu theksoi rëndësinë e këtij projekti për të rritur vizibilitetin e turizmit kulturor dhe agroturizmit në rajon, duke nxjerrë në pah bukuritë natyrore dhe historike të Lezhës. Projekti do të ofrojë mundësi për zhvillimin e itinerareve historike dhe do të kontribuojë në rritjen e ekonomisë lokale.

Ky projekt do të shërbejë si një destinacion i ri kulturor për Shqipërinë dhe do të vendosë Memorialin e Fishtës në hartën ndërkombëtare të artit dhe inovacionit, duke nxitur ndërveprime ndërkombëtare dhe promovuar vlerat kulturore të vendit.

Exit mobile version