Kryeministri Edi Rama mori pjesë në eventin “Fondi Social 2026 – Garanci për Qëndrueshmërinë e Shërbimeve për Mirëqenien e Qytetarëve”, ku u prezantuan 14 shërbime të reja sociale në mbështetje të fëmijëve dhe nënave në nevojë, personave me aftësi ndryshe, të moshuarve, grave dhe vajzave viktima të dhunës, si dhe fëmijëve pa kujdes prindëror.
Në fjalën e tij, kreu i qeverisë theksoi se risia kryesore e këtij programi është përfshirja aktive e pushtetit vendor në ofrimin e shërbimeve sociale. Sipas tij, decentralizimi i këtij procesi ka dhënë sinjale pozitive që në hapat e parë dhe do të thellohet më tej në bashkëpunim me kryetarët e bashkive.
Rama bëri të ditur se aktualisht 65 mijë individë përfitojnë nga sistemi i përkujdesjes sociale, duke theksuar se nuk bëhet fjalë vetëm për mbështetje financiare, por për një rrjet institucionesh, shërbimesh dhe profesionistësh që ofrojnë kujdes të organizuar.
Ai vuri theksin edhe tek nevoja për të shtuar përfshirjen e familjeve në sistemin e përkujdesjes, veçanërisht për fëmijët pa kujdes prindëror, duke inkurajuar bashkitë të nxisin familje që të bëhen pjesë e kësaj nisme dhe të ofrojnë një ambient familjar për fëmijët në nevojë. Sipas Ramës, për këtë qëllim do të dedikohet edhe një fond i veçantë.
Sa i takon financimit, kryeministri deklaroi se buxheti për shërbimet sociale është rritur gjashtë herë krahasuar me fillimet e kësaj nisme dhe është 17% më i lartë se një vit më parë. Megjithatë, ai theksoi se përtej buxhetit, prioritet mbetet rritja e cilësisë së jetës për përfituesit e këtyre shërbimeve.
Në fjalën e tij, Rama përmendi edhe transformimin e Shtëpisë së Përkujdesjes për Fëmijët “Zyber Hallulli” në Tiranë, duke theksuar se po punohet për ta kthyer atë në një model të ri komunitar, si pjesë e një qasjeje moderne të përkujdesjes sociale që mund të shtrihet edhe në bashki të tjera të vendit.



