Përfaqësues të Transportit interurban të qytetit të Vlorë zhvilluan këtë të hënë një protestë paqësore në rrugën që lidh aksin Transballkanik me autostradën e Vlorës. Shkak i protestës është zhvendosja e vendqëndrimit të ri të autobusëve interurban në hyrje të qytetit, larg nga zona e mëparshme përgjatë rrugës së re.

Drejtuesit e mjeteve kundërshtojnë vendimin e miratuar nga Këshilli Bashkiak, sipas të cilit të gjithë autobusët për pritjen dhe nisjen e pasagjerëve do të kenë pikën e tyre të përbashkët pranë hyrjes së autostradës. Sipas shoferëve dhe operatorëve të linjave, vendi i ri nuk plotëson kushtet minimale për të funksionuar si terminal autobusësh. Mungojnë tualetet, strehimi për udhëtarët në rast shiu ose temperaturash të larta, si dhe masat e sigurisë për punën e përditshme.

Protestuesit e konsiderojnë stacionin e ri si një ndalesë anës rrugës dhe paralajmërojnë se në këto kushte rritet rreziku i aksidenteve. Ata gjithashtu nënvizojnë se infrastruktura ekzistuese është e pamjaftueshme, duke përmendur mungesën e elementëve bazë si koshat e mbeturinave dhe hapësirat për pritjen e pasagjerëve.

Nga ana tjetër, zhvendosja e autobusëve synon të rregullojë problemet e mëparshme të parkimit të mjeteve në pika të ndryshme të qytetit, që krijonin vështirësi për qytetarët dhe mungesë organizimi për transportin interurban. Mungesa e një terminali të mirëfilltë ka qenë një problem i diskutuar prej vitesh në Vlorë.

Pritet që autoritetet vendore të reagojnë në vijim lidhur me kërkesat e transportuesve dhe mundësinë e përmirësimit të kushteve në pikën e re të vendqëndrimit.

Exit mobile version