Sekretariati i Përgjithshëm për Mbrojtjen Civile në Greqi ka vendosur sot kodin e kuq për katër rajone të vendit, për shkak të rrezikut të lartë nga përmbytjet dhe erërat e forta që mund të shkaktojnë vërshime në zonat bregdetare. Rajonet e Peloponezit, Greqisë Perëndimore, ishujve Jonianë dhe Epirit janë vënë në gjendje alarmi, pas një Buletini të lëshuar nga Shërbimi Kombëtar Meteorologjik (EMY), që paralajmëron për përkeqësim të kushteve të motit.

Në përputhje me këtë vendim, Ministria e Krizave Klimatike dhe Mbrojtjes Civile ka kërkuar mobilizimin e menjëhershëm të autoriteteve lokale dhe rajonale për të koordinuar përpjekjet e mbrojtjes civile. Bashkitë dhe rajonet janë të detyruara të krijojnë organet operacionale të koordinimit për t’u përgjigjur shpejt ndaj çdo situate emergjente.

Sekretariati i Përgjithshëm për Mbrojtjen Civile ka bërë thirrje për kujdes të shtuar për qytetarët dhe rekomandon masa vetëmbrojtëse për t’u mbrojtur nga efektet e motit ekstrem. Po ashtu, autoritetet shtetërore dhe lokale janë në gatishmëri të shtuar për të menaxhuar pasojat që mund të shkaktohen nga fenomenet natyrore të rënda.

Exit mobile version