Kryeministri Edi Rama është nisur drejt Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në takimin e parë të Bordit të Paqes, ku Shqipëria merr pjesë në cilësinë e vendit anëtar themelues.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, në përfundim të Ministerialit të Tiranës për Korridorin VIII. Ajo theksoi se pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë forum përfaqëson një zhvillim pozitiv dhe një angazhim të drejtpërdrejtë në nisma ndërkombëtare për paqen dhe stabilitetin.
Sipas Spiropalit, në këtë fazë Shqipëria nuk ka detyrime financiare në kuadër të Bordit të Paqes. Marrëveshja për pjesëmarrjen e vendit është ratifikuar më herët nga Kuvendi, ndërsa çdo angazhim i mëtejshëm do të vlerësohet në përputhje me statutin dhe në konsultim me partnerët ndërkombëtarë.
Ministrja bëri me dije gjithashtu se Shqipëria është angazhuar për t’u përfshirë në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gazë. Lista e vendeve pjesëmarrëse pritet të prezantohet nga presidenti amerikan Donald Trump.
Spiropali nënvizoi se përfshirja e Shqipërisë në Bordin e Paqes nuk përbën alternativë ndaj proceseve integruese në Bashkimi Europian, i cili mbetet prioriteti strategjik i vendit. Sipas saj, ky mekanizëm është komplementar dhe synon të kontribuojë në përpjekjet ndërkombëtare për stabilitet, pa zëvendësuar organizma si Kombet e Bashkuara apo mekanizmat e multilateralizmit.
“Shqipëria nuk ka detyrime financiare në këtë fazë, por ka përgjegjësinë për t’u përfshirë në mënyrë aktive në nismat për stabilizim. Ne kemi përvojën dhe vlerat tona për të ndarë në këtë forum”, u shpreh ministrja.



