Kapiteneria e Portit të Vlorës ka pezulluar përkohësisht lundrimin e mjeteve të vogla dhe atyre të peshkimit, si brenda gjirit të Vlorës ashtu edhe në det të hapur, për shkak të përkeqësimit të kushteve hidrometeorologjike.
Sipas njoftimit zyrtar, duke nisur nga ora 08:00 e kësaj të enjteje, është ndaluar pajisja me leje-nisje për të gjitha mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit që operojnë jashtë gjirit, në det të hapur. Masa do të jetë në fuqi deri në orën 06:00 të datës 20 shkurt, kohë kur pritet përmirësimi i situatës atmosferike.
Autoritetet portuale theksojnë se ky vendim është marrë në funksion të garantimit të sigurisë në det dhe parandalimit të incidenteve të mundshme si pasojë e motit të paqëndrueshëm. Njëkohësisht, u kërkohet të gjitha subjekteve që ushtrojnë aktivitet në fushën e detarisë të marrin masa për sigurimin e mjeteve në port dhe të rrisin gatishmërinë e ekuipazheve.
Ndërkohë, anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vijojnë operimin normalisht sipas itinerareve të planifikuara.
Përmirësimi i kushteve hidrometeorologjike për mjetet e vogla dhe ato të peshkimit pritet pas orës 06:00 të 20 shkurtit.



