Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Evropian ka publikuar draft-raportin për Shqipëria për vitin 2025, duke vlerësuar progresin e vendit në procesin e integrimit, por njëkohësisht duke theksuar nevojën për reforma më të thella dhe të qëndrueshme.
Dokumenti është përgatitur nga raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Andreas Schieder, dhe përfshin reagimin e Parlamentit ndaj raportit të zgjerimit të Komisioni Evropian për vitin 2025.
Sipas draft-raportit, Shqipëria ka shënuar një ecuri të shpejtë në negociatat e anëtarësimit, duke hapur të gjitha grupkapitujt brenda 13 muajve – një ritëm i konsideruar rekord në procesin e zgjerimit. Vendi synon përfundimin e negociatave deri në fund të vitit 2027.
Raporti rikujton se Shqipëria është vend kandidat që nga viti 2014, nisi negociatat e anëtarësimit në korrik 2022 dhe përfundoi procesin e “screening”-ut në nëntor 2023. Hapja e të gjithë grupkapitujve u realizua në periudhën 15 tetor 2024 – 17 nëntor 2025.
Megjithatë, theksi vihet te faza e ardhshme e procesit. Sipas dokumentit, ruajtja e ritmit të reformave gjatë këtij dhe vitit të ardhshëm do të jetë vendimtare për arritjen e objektivit që Shqipëria të jetë gati për anëtarësim deri në fund të vitit 2027. Kjo do t’u hapte rrugë shteteve anëtare për ratifikimin e traktatit të anëtarësimit, me synimin që vendi të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian brenda kësaj dekade.
Draft-raporti thekson qartë se miratimi i legjislacionit nuk mjafton pa zbatim efektiv në terren. Në këtë fazë, implementimi i reformave – veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, administratës publike dhe luftës kundër korrupsionit – konsiderohet kyç për përmbylljen me sukses të procesit të negociatave.



