Policia e Shtetit ka përcjellë një mesazh urimi për të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, duke e cilësuar këtë periudhë si një kohë reflektimi, sakrifice dhe solidariteti.
Në mesazhin e saj, institucioni thekson se Ramazani mbart vlera që forcojnë bashkëjetesën dhe harmoninë në shoqëri, ndërsa shpreh dëshirën që ky muaj të sjellë mirësi, paqe dhe begati në çdo familje shqiptare.
Një vlerësim i veçantë u është kushtuar efektivëve të Policisë së Shtetit që do të agjërojnë ndërkohë që vijojnë shërbimin në terren, shpesh larg familjeve, në patrullim dhe në përmbushje të detyrave që kërkon uniforma.
“Ju mbani mbi supe uniformën dhe detyrën, por edhe durimin e besimit, dhe kjo e bën shërbimin tuaj edhe më të madh”, thuhet në mesazh, ku shprehet respekt për përkushtimin e dyfishtë ndaj besimit dhe zbatimit të ligjit.
Në përfundim, urimi mbyllet me fjalët: “Gëzuar Muajin e Ramazanit! Agjërim të lehtë dhe Zoti jua pranoftë sakrificën.”



