Në seancën plenare të sotme, Kuvendi ka diskutuar një sërë çështjesh ligjore dhe politike, ndërkohë që kryeministri Edi Rama mungoi, pasi ndodhet në Uashington për themelimin e Bordit të Paqes ku Shqipëria është ndër shtetet themeluese.
Interpelanca “Durana Park”
Fillimisht, u zhvillua interpelanca me ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj, e kërkuar nga kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, lidhur me projektin “Durana Park”.
Ministrja Ibrahimaj theksoi se projekti synon tërheqjen e investimeve të huaja, zhvillimin e biznesit dhe krijimin e punësimit të mirëpaguar në fushën e teknologjisë dhe inovacionit. Ajo kujtoi se Durana Park është një zonë ekonomike e miratuar me ligj që në vitin 2022 dhe se parqet teknologjike nuk janë “shpikje shqiptare”, duke sjellë si shembull Moldavinë.
Nga ana tjetër, Shehaj kritikoi projektin, duke pretenduar se dy të tretat e bizneseve që kanë aplikuar ishin të njëjti individë, duke sugjeruar një skemë për shmangien e taksave. Ministrja Ibrahimaj i përgjigj se interpelanca po bëhej nga ajo, jo nga ministri i Financave, pasi projekti lidhet kryesisht me zhvillimin ekonomik dhe përkujtoi Shehajn se, pas pesë vitesh në Parlament, duhet të kishte më shumë njohuri mbi fushat e ministrave.
Ligjet dhe projektligjet në rendin e ditës
Seanca përfshiu gjithashtu diskutimin për tetë projektligje të rëndësishme, mes tyre ato për shërbimin e jashtëm, trashëgiminë kulturore, akcizat, arsimin e lartë, tatimin mbi vlerën e shtuar dhe statusin e minatorit. U kaluan gjithashtu disa projektvendime, shumica për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Debatet opozitë–mazhorancë dhe tensionet politike
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, bëri thirrje për protestë kombëtare më 20 shkurt, duke akuzuar qeverinë për mbrojtje të kryeministrit dhe familjes së tij përmes ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale.
Deputeti Gent Strazimiri kritikon ndryshimet ligjore dhe kërkesën e SPAK-ut për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku, duke e konsideruar një ndërhyrje të dëmshme në sistemin e drejtësisë.
Deputetja Ina Zhupa u ndal te raporti i Transparency International, sipas të cilit Shqipëria ka humbur 11 vende në indeksin e korrupsionit, duke kërkuar që Parlamenti ta fusë për diskutim këtë çështje.
Ndërsa debatet e tjera përfshinë replika të ashpra midis deputetëve socialistë dhe opozitarë, përfshirë Zegjine Çaushi, Gazment Bardhi dhe Erion Mile, duke nxjerrë në pah tensionet politike dhe rivalitetet elektorale në qarqe si Fier.



