Aktori Zhani Ziçishti u nda nga jeta në moshën 86-vjeçare, njoftoi Qendra e Artit dhe Kulturës Korçë duke shprehur dhimbjen për humbjen e një figure të dashur për publikun shqiptar.
“Një figurë e dashur për publikun dhe një artist që i dha skenës dhe artit interpretativ vite përkushtimi, pasion dhe profesionalizëm, Zhani Ziçishti do të mbetet në kujtesën e artdashësve për kontributin e tij të çmuar në film, teatër dhe kulturën shqiptare,” thuhet në njoftim.
Homazhet do të zhvillohen në hollin e teatrit “Andon Zako Çajupi” të Korçës, ditën e nesërme, 26 shkurt.
Ziçishti ka lindur më 31 maj 1940 në Korçë dhe pas përfundimit të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve (sot Universiteti i Arteve) u angazhua si aktor në Teatrin “Çajupi”. Me trupën e këtij teatri interpretoi një sërë rolesh, duke u bërë i njohur për publikun artdashës. Roli i tij i parë në kinematografi ishte ai i mësuesit Agron në filmin “Lumë drite” në vitin 1970.
Për dekada, Ziçishti mbeti pjesë e identitetit kulturor të qytetit të tij dhe një nga figurat më të respektuara të skenës shqiptare.



