Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, zhvilloi një vizitë zyrtare në Senatin e Francës, ku u prit nga Presidenti i Senatit, Gérard Larcher, në kuadër të diplomacisë parlamentare dhe forcimit të bashkëpunimit ndërparlamentar.
Takimi u fokusua në thellimin e marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve, ndërkohë që delegacioni shqiptar u prit në Lozhën e Nderit të Senatit dhe përshëndeti senatorët francezë, ndërsa Senati ishte në sesion.
Gjatë vizitës, Peleshi e cilësoi Francën si një partner shumë të rëndësishëm dhe një vend mik të Shqipërisë, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme në procesin e integrimit europian. Ai vuri theksin tek miqësia historike dhe marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve, duke e cilësuar vizitën si një moment të favorshëm për bashkëpunim të mëtejshëm.
Nga ana e tij, Presidenti Larcher rikonfirmoi mbështetjen e Francës për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe vlerësoi ritmin e shpejtë të progresit, duke e cilësuar këtë periudhë si një “sprint të fundit drejt BE-së” që kërkon vullnet politik dhe bashkëpunim të ngushtë. Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e forcimit të besimit të opinionit publik dhe qytetarëve evropianë ndaj procesit të zgjerimit dhe vlerësoi rolin stabilizues të Shqipërisë në rajon.
Peleshi konfirmoi angazhimin e Shqipërisë për të thelluar bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat e marrëveshjeve ekzistuese, duke përfshirë mbrojtjen, bujqësinë, menaxhimin e ujërave, emergjencat civile, energjinë dhe arsimin. Ai gjithashtu riafirmoi mbështetjen e Shqipërisë për dialogun dhe normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe për orientimin euroatlantik të rajonit, duke kundërshtuar çdo influencë jo-euroatlantike.



