Pas viteve të bllokadave për hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian, Franca sot shfaqet entuziaste për zgjerimin e BE-së. I dërguari i posaçëm i Francës për Ballkanin Perëndimor, Rene Troccaz, i tha gazetës greke To Vima se Shqipëria dhe Mali i Zi mund të jenë pjesë e Bashkimit Europian brenda tre viteve të ardhshme.
“Zgjerimi është një përparësi për Francën dhe, më gjerë, për të gjithë BE-në. Është normale që disa shtete të ecin më shpejt. Mali i Zi dhe Shqipëria janë përpara në këtë proces dhe janë relativisht afër integrimit të plotë. Sipas një vlerësimi optimist, kjo mund të ndodhë brenda tre viteve të ardhshme,” tha Troccaz.
Diplomati francez vuri theksin gjithashtu mbi nevojën për një ecje paralele mes reformave të brendshme të BE-së dhe zgjerimit:
“Nevoja për të përshpejtuar integrimin dhe reformat institucionale duhet të shkojnë së bashku. Ne jemi 27 anëtarë sot; duhet të planifikojmë se si do të funksionojmë kur të bëhemi 30. Rregullat dhe institucionet duhet të përshtaten.”
Troccaz shtoi se procesi i zgjerimit duhet të kapërcejë “gjemba” të veçanta lokale, duke përfshirë marrëdhëniet e vështira dypalëshe në rajon, si bashkëjetesa e Serbisë dhe Kosovës.


