Deklarata e re për të Ardhurat Personale nga Biznesi (TAPB) ka hyrë në fuqi këtë vit dhe do të aplikohet për të ardhurat e realizuara gjatë vitit 2025, duke sjellë për herë të parë një formular të dedikuar për raportimin e të ardhurave personale nga aktiviteti ekonomik.

Sipas kuadrit të ri, TAPB synon më shumë qartësi dhe strukturë në deklarim, duke ndarë në mënyrë të detajuar të ardhurat, shpenzimet dhe zbritjet tatimore, për një përllogaritje më të saktë të detyrimit fiskal.

Si është e ndërtuar deklarata

Në pjesën e parë pasqyrohen të ardhurat nga punësimi dhe nga biznesi. Tatimpaguesi duhet të zgjedhë një kategori: nëse deklaron të ardhura nga punësimi, nuk mund të plotësojë rubrikat për të ardhura nga biznesi dhe anasjelltas.

Të ardhurat nga biznesi ndahen në:

  • të ardhura nga aktiviteti kryesor;
  • të ardhura nga aktivitete të tjera;
  • investime, përfshirë dividendë apo burime të tjera.

Në pjesën e dytë përfshihen zbritjet tatimore, si:

  • fëmijët në ngarkim;
  • shpenzimet arsimore;
  • kontributet për pensione private, kur plotësohen kushtet ligjore.

Regjimi i veçantë për bizneset e vogla

Tatimpaguesit me qarkullim deri në 10 milionë lekë mund të zgjedhin regjimin e veçantë të zbritjes së shpenzimeve. Ky regjim bazohet në përqindje të përcaktuara sipas llojit të aktivitetit dhe aplikohet për tre vite radhazi.

Fitimi ose humbja tatimore përcaktohet nga diferenca mes të ardhurave dhe shpenzimeve, mbi të cilën llogaritet tatimi përkatës.

Normat tatimore

Për të ardhurat nga punësimi zbatohet tatim progresiv:

  • 13% për të ardhurat deri në 2 040 000 lekë në vit;
  • 23% për shumën mbi këtë nivel.

Ndërsa për të ardhurat nga biznesi, normat në fuqi deri në vitin 2029 janë:

  • 0% për të ardhurat deri në 10 milionë lekë;
  • 15% për fitimin deri në 14 milionë lekë;
  • 23% për fitimin mbi 14 milionë lekë.

Deklarata e re përfshin gjithashtu pasqyrimin e tatimit të huaj të mbajtur në burim dhe tatimin e shtyrë.

Afati për dorëzimin e deklaratës TAPB për të ardhurat e vitit 2025 është deri më 31 mars 2026.

Exit mobile version